Kardiologu Gani Bajraktari ka folur mbi studimin për vdekjen e pacientëve në Klinikën e Kardiologjisë. Ai ka deklaruar se studimi nuk ka pasur asnjë qëllim tjetër përpos atyre shkencore, ndërsa ka bërë thirrje që menaxhmenti të merret me shkaqet e vdekjes së pacientëve. Bajraktari ka mohuar të ketë referuar ndonjë pacient jashtë QKUK-së gjatë këtij viti
Një studim i disa studentëve të mjekësisë të mentoruar nga kardiologu Gani Bajraktari në Klinikën e Kardiologjisë, ka hapur debatin lidhur me pasojat që ka sjellë ndarja e kësaj klinike nga Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive, si dhe për cilësinë e punës dhe stentave. Sipas këtij studimi, në tri vitet e fundit është rritur numri i pacientëve të vdekur, nga 10.1 për qind sa ka qenë në 2015 deri në 15.5 për qind në vitin 2017.
Bajraktari ka deklaruar se ky studim ishte lejuar nga Këshilli Etik i SHSKUK-së, ndërsa është realizuar nga dy studentë dhe ka përfshirë pacientët me Infarkt Akut dhe Syndrome Akute Koronare për periudhën kohore 1 janar 2014 – 05 dhjetor 2018. “Të gjitha të dhënat klinike, laboratorike dhe të trajtimit invaziv, përfshirë dhe vdekjen, janë të regjistruara në ecxel file dhe mire të ruajtuara në disa databaza”, ka thënë kardiologu.
Ai ka theksuar se këto rezultate janë dërguar edhe në shumë konferenca ndërkombëtare pasi sipas tij janë shumë të rëndësishme edhe për sferën akademike. “Janë tepër të sakta, dhe mund të verifikohen nga kushdo që ka interesim për t’i parë ato në kohën reale, natyrisht duke ruajtur me besnikëri konfidencialitetin dhe aspektet tjera etike të parapara në kuadër të studimeve klinike shkencore”, ka thënë Bajraktari.
Konstatimet e drejtorit të SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, se deklarimet e Bajraktarit në media për këtë studim janë qëllimkëqija për të krijuar panikë tek pacientët në QKUK, Bajraktari i quan absurde dhe përpjekje për ndalimin e fjalës së lirë.
“Është absurd ky pretendim! Pretendimi i ndalimit të fjalës së lirë dhe i raportimit të rezultateve shkencore, pavarësisht këtyre rezultateve, i takon së kaluares! Një kërcënim i tillë nuk i kontribuon zhvillimit të shkencës, mjekesisë, shoqërisë”, ka deklaruar tutje ai.
Bajraktari ka shtuar se në vitin 2019 nuk ka referuar asnjë pacient jashtë QKUK-së, e madje sipas tij edhe ata pacientë që nuk kanë mundur të trajtohen në institucionet publike i ka transferuar tek kolegët e tij në mënyrë që, siç pretendon ai, t’i shpëtonte ndëshkimeve eventuale të menaxhmentit të SHSKUK-së.
Por ndryshe ka pretenduar Sejdiu në konferencën për media ku ka deklaruar se është vet dëshmitar i një rasti kur Bajraktari e kishte frikësuar një pacient, dhe i njëjti ishte nisur për në spital privat por kishin arritur ta ndalin dhe ta rikthejnë në klinikë për trajtim të mëtutjeshëm.
Këto pretendime Bajraktari i ka quajtur absurde, por ai është në dijeni se për cilin rast bëhet fjalë. Ai ka deklaruar se menaxhmenti i SHSKUK-së po i bën presion familjarit të pacientit që të shkruaj një letër kundër tij, por kardiologu thotë se e vërteta do të ngadhënjej. /Gazeta Shneta/