Pas raportimit të Gazetës Shneta, Spitali “Bahceci” ka tentuar të bëj një kamuflim të reklamës duke hequr akronimin IVF, por brenda saj vazhdon të keqpërdor foshnjat për t’i joshur çiftet e reja
Spitali “Bahceci” po vazhdon të bëjë marketing të kundërligjshëm për procedurat e fekondimit in vitro. Reklamimi i IVF-së apo Frytnimit të Asistuar Mjekësor është i ndaluar me Udhëzimin Administrativ 06/2013.
“Bahceci” vazhdimisht reklamon IVF-në me postime të sponsorizuara në rrjetet sociale. Ky spital ka postuar një video vitin e kaluar me titull “Realizoni ëndrrën tuaj për t’u bërë prindër me IVF” e cila sponsorizohet vazhdimisht në Facebook. Bashkëngjiur ka edhe një buton të cilin pasi e klikoni hap një dritare ku bëhet reklamë me suksesin e IVF-së në këtë spital dhe ku kërkohen të dhënat e pacientëve për t’u kontaktuar më pas për IVF.
Tani pas raportimit të Gazetës Shneta për shkeljen ligjore me këtë reklamë, ky spital privat ka tentuar të bëj një kamuflim duke hequr akronimin IVF në titullin e reklamës. Aty vazhdon të mbetet reklama me numrin e foshnjave të lindura përmes procedurës së IVF-së.
Neni 52 i Udhëzimit Administrativ, Pika 1 ndalon institucionet shëndetësore që të publikojnë informata për ofrimin e shërbimeve për FAM ose IVF. “2. Ndalohet çdo formë tjetër e reklamimit, sponsorimit dhe ofrimit publik të informatave të cilitdo lloj dhe me cilindo mënyrë të plasimit që kanë për qëllim joshjen dhe manipulimin e opinionit publik”. Ndërsa Pika 2.2 tekstualisht ndalon reklamimin e nivelit të suksesit të fekondimit in vitro, gjë që “Bahceci” e bënë me numrin e bebeve dhe fotografitë e tyre të postuara në Facebook.
Advije Mala nga Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë të ditur se institucionet private që bëjnë reklamë, janë në shënjestër të tyre. “Zakonisht, janë në shënjestër të Inspektoratit Shëndetësor ato institucione private që bëjnë reklamimin e kësaj veprimtarie”, ka deklaruar ajo. Megjithatë reklama e këtij spitali është duke vazhduar.
Gazeta ka kontaktuar edhe me zyrtaren për media të spitalit e cila në një përgjigje me shkrim ka deklaruar se veprimtaria e tyre është në përputhje me ligjin. /Gazeta Shneta/