Pas marrjes së raportit nga instituti zviceran, ka folur babai i Astrit Deharit, Avni Dehari.
Dehari ka thënë se e kanë marrë raportin në dy kopje, dhe sipas konkluzioneve ka dalë se Astrit Dehari është vrarë.
Tutje ai ka kërkuar që të hapen hetimet për rastin e ndodhur në qendrën e paraburgimit në Prizren para 3 vjetëve.
“Tash sa dolëm nga prokuroria ku ishin të pranishëm kryeprokurori dhe Metush Biraj. Raportin na e kanë dhënë në dy kopje, në dy gjuhë dhe të përkthyer. Sipas konkluzioneve, bëhet fjalë për vrasje e jo për vetëvrasje, sipas ekspertizës. Bëhet fjalë për vrasje, dhe duhet të hapen hetimet për vrasjen”, ka thënë ai.
Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se në faqen e fundit të ekspertizës thuhet se pretendimi për vetëvrasjen e Astritit është i pabesueshëm dhe Instituti Zviceran ka kërkuar hetime të mëtutjeshme dhe të pavarura për të sjellë provat e munguara.