Asamblisti i PDK-së në Kuvendin e Komunës së Suharekës, Rilind Krasniqi, është punësuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në pozitën “Zyrtar certifikues”
Është asamblist i PDK-së dhe përfaqëson qytetarët e komunës së Suharekës në Kuvendin Komunal, por tani Rilind Krasniqi është punësuar edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Krasniqi poashtu është edhe kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, shkruan Gazeta Shneta.
Ai është punësuar në QKUK në pozitën “Zyrtar certifikues” gjatë muajit maj të këtij viti. Në komisionin pranues kanë qenë edhe dy kolegë të tij nga PDK-ja. Bëhet fjalë për Visar Islamaj, drejtor në administratën e QKUK-së. Islamaj është zyrtar i PDK-së në Priren, ndërsa ka qenë edhe drejtor në komunë gjatë udhëheqjes së kësaj partie.
Poashtu në komisionin pranues ka qenë edhe përkrahësi tjetër i PDK-së Dardan Parduzi, i cili poashtu mban pozitë udhëheqëse në administratën e QKUK-së.
Krasniqi në profilin e tij në Facebook mban një fotografi duke u përshëndetur ngrohtë me kryetarin e PDK-së Kadri Veseli. Ky i fundit që disa muaj ka nisur një fushatë ku pretendon se ministrat e PDK-së në qeverinë në largim kanë luftuar korrupsionin dhe nepotizmin. Veseli disa herë ka vizituar QKUK-në nga ku e ka lavdëruar Ismailin për punën e tij. E në kuadër të punës së Ismailit janë punësuar edhe zyrtar të PDK-së sikurse rasti i Krasniqit.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga Krasniqi për punësimin e tij në QKUK, si dhe nëse do të vazhdojë të mbaj pozitën e asamblistit në kuvendin komunal, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje në adresën elektronike.
Rilind Krasniqi është pranuar në pozitën Zyrtar certifikues në QKUK, në mesin e dhjetëra të punësuarve tjerë në administratë. Menaxhmenti i QKUK-së gjatë mandatit qeverisës nga PDK-ja me ministrinë e Shëndetësisë në krye me Uran Ismailin është akuzuar për punësime partiake dhe familjare. Madje QKUK është krahasuar edhe me Postën e Kosovës për mbi ngarkesë me të punësuar. /Gazeta Shneta/