Dr Skënder Telaku ka vazhduar me reagimet e tij pas pezullimit të Komisionit Disiplinor të SHSKUK’së me tre muaj.
Ai u pezullua pas peticionit të stafit, pjesë e të cilit ishte vetë Telaku, dhe për shkak të referimit të një pacienti në Tiranë, shkruan Gazeta Shneta.
Telaku ka shkruar se atë e pezulluan shkaku që është ndër të vetmit specialistë të Gastroenterelogjisë dhe se kjo e bëri atë kandidat për të udhëhequr me Klinikën e Gastros, për dallim nga drejtori aktual Dr Zaim Gashi, i cili nuk është specialist.
Lexoni reagimin e plotë të Dr Telakut:
‘’Te nderuar,
Duke pare reagimin tuaj te madh qe ka shkaktuar kjo padrejtësi, e ndiej për obligim t’iu informoj për rrënjët e vërteta te këtij suspendimi.
Me vendimin e Gjykatës së Apelit AA nr.39/2017, të datës 18.07.2017 (i cili është dërguar në Ministri dhe në SHSKUK nga Gjykata e Apelit ), janë anuluar Vendimet e ish Ministrit Agani, me të cilat (siç kanë konstatuar Gjykatat) në mënyrë të paligjshme iu ishin njohur titujt profesional profesionistëve shëndetësorë të cilët nuk kishin kryer fare shkollim specialistik.
Edhe pas 6 muajsh nga hyrja ne fuqi , ky vendim nuk është fuqiplotë dhe nuk ekzekutohet.
Mos zbatimi i këtij Vendimi, jo vetëm që paraqet shkelje të rëndë ligjore, por paraqet edhe cënim të trajtimit adekuat mjekësor të qytetarit (pacientit) në nivel vendi, sepse këta profesionistë shëndetësor nuk kanë përgatitje profesionale adekuate për vendet e punës ku ata punojnë (të pambikqyrur) dhe për rrjedhojë mund të rrezikojnë jetën e pacientit. Për më tepër disa nga këta profesionistë mbajnë akoma edhe poste profesionale me përgjegjësi tepër të lartë, si drejtor klinikash e shefa repartesh, që është në kundështim të plotë me nenin 18 të Ligjit për Shëndetësi, ku në mënyrë taksative thuhet se duhet të këtë shkollim specialistik (e për rrjedhojë askush që nuk ka licencë të një specializimi të ngushtë nuk mund të jetë në pozitë drejtori ose shefi të repartit në një Klinikë ose repart me specializim të ngushtë), kjo sepse nuk ka kompetencë profesionale për të udhëhequr atë njësi profesionale. Kjo, siç është paraparë me Ligjin për Shëndetësi të Republikës së Kosovës, është e rregulluar kështu në krejt botën, sepse nuk mund të jetë ndryshe.
Drejtori aktual i Klinikes se Gastroenterologjise Dr. Zaim Gashi, dhe dy shefat Dr. Aida Polloshka dhe Dr. Sadik Zekaj nuk jane gastroenterologe, jane internista qe kane përfituar nga vendimi i ish Ministrit Agani. Këta e udhëheqin Kliniken e Gastroenterologjisë. Te tille ne QKUK janë mbi 120 , ne mos me shume , dhe atë ne poste udhëheqëse.
Me respekt’’ /Gazeta Shneta/