Më 18 shtator të vitit 2012, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, kishte marr një vendim me të cilin kishte avancuar rreth 120 mjekë në gjithë Kosovën.
Vendimi ua barasvlerësonte mjekëve përvojën profesionale pesëvjeçare me titullin akademik Doktor Shkence dhe të përvojës profesionale më shumë se 7 vjet me titull Magjistër i Shkencave.
Kundër këtij vendimi kishin dalë një grup i mjekëve të cilët edhe kishin ngre padi po atë vit ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, shkruan Gazeta Shneta.
Padia e mjekëve Skender Telaku, Gani Bajraktari, Daut Gorani dhe Agim Krasniqi, ishte aprovuar si e bazuar nga Gjykata Themelore në një aktgjykim të datës 5 janar 2017.
“Anulohet vendimi i të paditurës Ministria e Shëndetësisë, Zyra e Ministrit, Nr. 145/12 i datës 18.09.2012 dhe çështja i kthehet të paditurës në rishqyrtim dhe rivendosje”, thuhet në këtë aktgjykim.
Gjykata Themelore ka arsyetuar anulimin e këtij vendimi pasi janë gjetur shkelje të Ligjit për Konflikte Administrative dhe e ka konsideruar si të kundërligjshëm.
Ministria e Shëndetësisë kishte apeluar vendimin, por Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë ankesën.
“Qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të rregullt dhe të bazuar në ligj në tërësi e aprovon edhe kjo gjykatë”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e Apelit i shpallur më datën 18 korrik të këtij viti.
Pas aktvendimit të Apelit, vendimin e ish-ministrit Agani – tani ministri Uran Ismaili e ka dërguar në rishqyrtim. Përmes një vendimi, përgjegjësinë për këtë ia ka lënë Bordit Qendror për Regjistrim dhe Licencim të Profesionistëve Shëndetësor.
“Në vendimin e Ministrit, thuhet se ‘Bordi është përgjegjës të adresojë të gjeturat e Gjykatës sa i përket vendimit nr. 145/2012, të bëjë shqyrtimin e çështjes në bazë të udhëzimeve të Gjykatës dhe të përgatis rekomandimet dhe propozimin për rivendosje të çështjes’, thuhet në një përgjigje të MSH-së për Gazeta Shneta.
Në këtë vendim të ministrit kërkohet që Bordi t’i marr në shqyrtim të gjitha shkresat e lëndës dhe legjislacionit në fuqi. /Gazeta Shneta/