Në Shqipëri kanceri i gjirit ka tendencë në rritje. Ai prek afro 600 gra dhe vajza në vit, prej të cilave një e treta humb jetën.
Kjo betejë për jetën bëhet edhe më e vështirë për të prekurat me mundësi ekonomike të pakta, pasi kostoja e kurimit është mjaft e lartë dhe atyre u është dashur të përballen me mangësi të shumta në spitalet shtetërore që nga barnat dhe deri tek aparaturat.
Vitin e fundit autoritetet shëndetësore thonë se i kanë plotësuar nevojat për kurim, duke zgjeruar dhe hartën e kimioterapisë në disa spitale rajonale. Masë e rëndësishme mbetet kapja në fazë të hershme dhe zyrtarët raportojnë se kanë shtuar mamografitë lëvizëse në të gjithë vendin. Kjo ka sjellë vdekshmëri në ulje, edhe pse rastet e prekjes nga kanceri i gjirit janë në rritje.
Autoritetet zyrtare dhe organizatat joqeveritare në Shqipëri kanë shtuar përpjekjet që për sëmundjen e kancerit të gjirit të punohet gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në tetor, i cili është shpallur si muaji i ndërgjegjësimit në gjithë botën.
Në dekadën e fundit ka tendenca në rritje të prekjes nga kjo sëmundje, por për shkak të ndërgjegjësimit, kontrolleve periodike dhe kapjes së saj në faza të hershme, vdekshmëria është në ulje.
“Kanceri i gjirit ka ardhur në rritje në Shqipëri që nga fundi i viteve 80. Aktualisht risku është 45 raste të reja për 100 mijë gra në Shqipëri, çka me shifra të tjera do të ishte 600 -650 raste të reja në vit. Ndërkohe vdekjet rreth një e treta e tyre, 200-230”, thotë Alban Ylli, Instituti i Shëndetit publik.
Kanceri është shkak për vdekjen 16.5% të shqiptarëve dhe në totalin e kancereve ai i gjirit zë 13-14%, ose e thënë ndryshe një në 7 vdekje vjen nga ky kancer. Rreth 80% të grave që preken nga kanceri i gjirit janë mbi 45 vjeç.