I plotësuar: QKUK – Tre persona të lënduar po trajtohen në Emergjencë
Zyrtarët për Informim në Qendrën Klinike Universitare kanë deklaruar se tre persona të lënduar nga aksidenti në Prishtinë po trajtohen aktualisht në Klinikën Emergjente.
Zëdhënësja Mirlinda Qyqalla ka thënë për Gazetën Shneta se të lënduarit po ekzaminohen nga mjekët, janë në process të analizave laboratorike dhe ekzaminimeve radiologjike. Aktualisht gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë. /Gazeta Shneta/
————-
Aksident i rëndë në Prishtinë, kamioni pa frena aksidenton tri vetura, disa të lënduar
Një aksident i rëndë ka ndodhur para pak minutash në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
Një kamion i cili mbledh mbeturinat në kryeqytet, ka mbetur pa frena përgjatë rrugës afër Parkut të Qytetit. Shoferi në pamundësi për ta ndalur është detyruar ta drejtoj kamionin në teposhtëze në drejtim të rrugës “Agim Ramadani” në kryqëzimin e rrugës që njihet si “Sllovenia Sport”, shkruan Gazeta Shneta.
Dëshmitarët kanë treguar se kamionit i janë prishur frenat dhe nuk ka mundur ta ndal, dhe si pasojë ka aksidentuar disa vetura ku kanë mbetur disa të lënduar.
Policia e Kosovës ka konfirmuar aksidentin dhe ka treguar se bëhet fjalë për 9 vetura të aksidentuara.
“Rreth orës 13:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira 9 vetura dhe një kamion. Si pasojë e aksidentit deri tani ndihmë mjekësore u është ofruar tre personave. Me rastin po merren njësitet përkatëse”, ka deklaruar zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti. /Gazeta Shneta/
KUJDES: PAMJET NE FOTO MUND TE JENE TE NDJESHME