Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka pranuar ankesën e gazetarës Paulina Nushi Muhaxhiri për gjuhën fyese dhe denigruese që është përdorur ndaj saj nga doktori Sejduallah Mahmuti.
Gazetarja Nushi Muhaxheri, ka bërë të ditur se me qëllim që artikulli dhe raportimi të bëhet sipas standardeve të gazetarisë, kanë kontaktuar doktorin Mahmuti, për të cilin prokuroria ka ngritur aktakuzë por ai ka qenë i pa qasshëm.
“”Përkundër që e patëm aktakuzën ne donim t’i japim mundësinë për ta thënë fjalët e vet. Sot në mëngjes më telefonoi, bërtitke, dhe nuk e mora seriozisht deri në momenti kur filloi me thanë që ‘kjo do të kthehet në fëmijët tu’. Ne nuk duhet të trajtohemi në këtë formë, kjo është e papranueshme. Ja shpjegova që ke të drejtën tënde me fol dhe nëse ke ndonjë qëndrim apo reagim mund ta dërgosh në redaksi, ai prapë refuzoi”, tha Nushi Muhaxhiri.
AGK kërkon nga të gjitha palët e përfshira në raportime që të mos ngatërrojnë çështjet e profesionit me ato familjare dhe të ndalin kërcënimet e kësaj natyre.
AGK fton doktorin Mahmuti dhe këdo tjetër që mund të jetë subjekt i shkrimeve të gazetarëve, t’i trajtojnë këta të fundit me respekt e dinjitet për punën që bëjnë dhe nëse kanë vërejtje t’i drejtojnë ato tek institucionet përgjegjëse./GazetaShneta/