Më 7 shtator në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vdiqën tre pacientë në rrethana ende të pasqaruara.
Për këtë skandal u arrestua pronari i kompanisë “Bubeari Komerc”, Naser Guri, i cili furnizonte QKUK-në me gaz oksidul të cilin e prodhonte pa licencë në Kosovë. Ky gaz dyshohet të jetë shkaku i vdekjeve dhe për këtë po priten rezultatet e analizave, shkruan Gazeta Shneta.
Prokuroria e Kosovës është në pritje të analizave të gazit dhe obduksionit të trupave të tre pacientëve, të cili ishin zhvarrosur 1 javë pas vdekjes së tyre.
Burime të Gazetës Shneta, bëjnë të ditur se 60 zyrtarë të QKUK-së janë intervistuar në Policinë e Kosovës për vdekjen e pacientëve.
“60 veta na kanë intervistu në Polici. Krejt zyrtarët që kanë pas ndonjë lidhje me rastin e vdekjes së pacientëve, përfshirë edhe mjekë, anesteziologë, punëtorë të shërbimit teknik”, ka deklaruar ky burim.
Ai shton se Policia ka kërkuar të gjithë dokumentacionin e blerjes dhe furnizimit të gazit për 2 vite rresht.
Intervistimin e zyrtarëve të QKUK-së e ka konfirmuar edhe Prokuroria por pa përmendur emra apo numra.
“Ju njoftoj se ende jemi në fazën e hetimore. Ka të intervistuar në cilësi të të dyshuarve dhe të dëshmitarëve” thotë zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu për Arbresh.info.
Për skandalin e vdekjeve në QKUK, ish-drejtori Curr Gjocaj, pas presionit u detyrua të jap dorëheqje. /Gazeta Shneta/