Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, vitin e kaluar ka paguar kompaninë ‘Biotek Kosovo’ nga Maqedonia për servisimin e pajisjeve laboratorike me 469 Euro për 1 orë punë. Poashtu, IKSHP për vetëm një muaj pagoi 55 për qind të kontratës 3 vjeçare.
Bujar Vitija
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në nëntor të vitit të kaluar hapi një tender për servisimin e pajisjeve laboratorike, i ndarë në 6 Lote. Për Lot 5 fitues u shpall kompania “Biotek Kosovo” nga Maqedonia me ofertën prej 24 mijë e 905 euro, shkruan Gazeta Shneta.
Kontrata me këtë kompani u nënshkrua për 3 vjet, por vetëm në muajin e parë IKSHP-ja pagoi 55 për qind të vlerës së kontratës. Kjo gjetje është evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Për më tepër mungonin raportet e OE për pajisjet e servisuara dhe evidenca mbi monitorimin dhe konfirmimin e punës së kryer nga Autoriteti Kontraktues”, thuhet në raport.
Për një orë punë të kompanisë e cila nuk ka ofruar as evidenca, Instituti i Shëndetit Publik e ka paguar me 469,64 Euro.
Remzie Zhushi nga Zyra e Prokurimit të IKSHP-së thotë se kontrata parasheh servisimin e pajisjeve laboratorike: Vitek Compact 2, vitech apparat për identifikim të bakterieve; BactAlert instrument, bactalert për hemokultura dhe Previ colour, apparat për ngjyrosje automatike.
Këto pajisje janë të prodhuesit “Biomerieux” nga Franca.
“55% e kontratës është shfrytëzuar vetëm në një muaj ngase prej 23.10.2015 kur i ka skaduar afati kontratës paraprake kemi qenë në pritje të nënshkrimit të kontratave të reja”, ka deklaruar Zhushi.
Ajo shton se do të implementohet vetëm në bazë të nevojave të Institutit dhe jo në baza mujore.
“Kurse neni 1.3 i kësaj kontrate përcakton se sasitë e vlerësuara të përcaktuara në pjesën C Lista e Çmimit janë vetëm sasi indikativë”.
“Vetë fakti se nga ai servisim që ju është bërë këtyre pajisjeve nuk është intervenuar here tjetër. Prandaj fare nuk e kemi problem që këtë kontratë ta përmbyllim sipas LPP dhe që është më e rëndësishmja pajisjet t’i kemi gjithmonë në funksion”, thotë Zhushi për Gazeta Shneta.
Zyrtarja e Prokurimit pagesën prej 469 euro për 1 orë punë, e arsyeton me faktin se përveç pagesës për punë, personit që ka punuar është dashur t’i paguhen edhe shpenzimet udhëtimit dhe akomodimit, ndërkohë që nuk bëhet e ditur se nga cili vend ka ardhur i njëjti.
“Ajo që mund të themi është se sigurisht do të kontraktonim ndonjë operator me çmim më të volitshëm nëse do të kishte konkurrencë por nuk ka pasë. Për këtë lot edhe pse i ritenderuar, ka apliku me ofertë vetëm një operator ekonomik”, është shprehur Zhushi.
Se nga ka ardhur serviseri që mori këtë shumë parash për 1 orë punë, nuk tregon as kompania që e solli, “Biotek Kosovo”.
“Për këtë intervenim, janë të nevojshme serviser të trajnuar nga Evropa ose serviser nga Evropa të cilët kanë certifikatë të veçanta për këtë lloj të pajisjeve”, thotë Edmond Hetemaj nga kjo kompani.
Hetemaj në përgjigjen e tij deklaron se çmimi i instalimit, validimit dhe akreditimit të pajisjeve laboratorike është 1/4 nga çmimi normal në Evropë.
“Ato janë pajisje serioze me cilësi të lartë, me te cilat punojnë pacientë me natyrë shumë të ndjeshme dhe prodhuesi si dhe shfrytëzuesi i fundit kërkojnë validimim dhe standartizim të vazhdueshëm.”
“Pasi që pajisja një kohë të gjatë nuk është e servisuar dhe si pjesë e praktikes së mirë të laboratorit, instituti kreu servisimin e saj në mënyrë që të sigurohet për saktësinë, ndjeshmërinë dhe të mbetet e njëjtë me validimin”, ka deklaruar Hetemaj.
Sipas përllogaritjes në bazë të vlerës së kontratës 24,905 euro dhe pagesës prej 55 për qind, i bie se kompania mori 13 mijë e 697 euro për vetëm 1 muaj. Kjo shumë parash e përkthyer në pune i bie pak më shumë se 29 orë. Një orë pune është paguar 469,64 euro. /Gazeta Shneta/