Në vitin që lam pas QKUK-në e kanë lënë katër mjekë të njohur për shkak të problemeve menaxheriale.
Neurokirurgu Dr. Bujar Kastrati është dorëhequr nga Klinika e Neurokirurgjisë për shkak të problemeve brenda kësaj klinike që janë të njohura edhe më parë. Mosmarrëveshjet dhe pengesat e kishin bërë të dorëhiqej nga kjo klinikë para disa vitesh edhe neurokirurgun Dr. Talat Gjinolli, shkruan Gazeta Shneta.
Pas Kastratit, QKUK-në e ka lënë kirurgu i njohur Dr. Besnik Bicaj. Largimi i kirurgut ndodhi pas disa ndryshimeve që i kishte ndërmarr drejtori i ri i klinikës Dr. Ferat Sallahu. Për këto ndryshime Bicaj kishte shprehur pakënaqësi dhe si rezultat pati dhënë dorëheqje duke mos folur publikisht asnjëherë për arsyet.
Qendra Klinika Universitare në dhjetor mbeti edhe pa dy kardiokirurgë, një prej tyre themelues i shërbimit klinik të Kardiokirurgjisë. Dr. Raif Çavolli dhe Dr. Arbër Kutllovci dhanë dorëheqje të dy basghkë më 27 dhjetor. Edhe këta e lanë klinikën për shkak të pengesave në punën profesionale.
Kujtojmë se edhe kardiologu Gani Bajraktari është përjashtuar nga puna gjatë vitit 2019 nga menaxhmenti i SHSKUK-së. Bajraktari u përjashtua pas pretendimeve të tij për rritjen e numrit të pacientëve të vdekur në kardiologji, si dhe akuzave ndaj tij për referim të një pacienti në një spital privat. /Gazeta Shneta/