Urgjenca e Prishtinës trajton 60 deri 100 raste në ditë. Koha mesatare e arritjes në vendin e ngjarjes është 7.3 minuta, por kjo varet edhe nga kushtet e rrugës që përshkohet nga autoambulanca
Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë i përgjigjet të gjitha thirrjeve në numri e saj 194. Por jo në të gjitha intervenohet pasi dispeçeri që përgjigjet në telefon, i cakton prioritetet e rasteve. Ai iu shtron pyetje palëve, në mënyrë që nëpërmes përgjigjeve ta kuptoj nevojën e intervenimit.
Në rastet si humbja e ndjenjave, arresti kardiak, fatkeqësitë apo aksidentet, intervenohet urgjent, ndërsa në të tjerat kur për shembull pacienti ankohet për dhimbje barku apo shpine, që nuk kanë ndodhur aty për aty, pacienti udhëzohet të pret për më shumë se gjysmë ore.
Qendra e cila është hapur nga viti 2001, funksionon me 88 punëtorë, por me vetëm 4 ekipe në terren me nga tre anëtarë. Gjatë 24 orëve ky institucion i shëndetit parësor trajton 60 deri në 100 raste.
“Edhe nëse veç pesë raste janë të natyrës tonë, unë them se i kemi arrit objektivat. Sepse krejt esenca është te minutat e artë, 3 deri në 5. Çdo vonesë e ulë përqindjen që pacienti m’u rikthye në jetë”, thotë për Gazeta Shneta, drejtori Bujar Gashi.
Ai tregon se koha mesatare e intervenimit është zvogëluar pas disa shkurtimeve që janë bërë në kohën e nisjes.
“Kemi bërë një auditim për kohën mesatare të arritjes në vendngjarje dhe kemi bërë disa ndryshime të brendshme që janë në dorën tonë. Kemi intervenuar në procesin e daljes së ekipit. Mesatarja është 42 sekonda, prej momentit kur i dorëzohet flet urdhëresa”.
Një kohë e shkurt e nisjes, shton ai, e shkurton kohën e arritjes.
“Por koha gjatë shkuarjes nuk është në dorën tonë sepse varet nga faktorë të tjerë, kushtet e rrugës, kolonat e gjata të veturave. Kjo e rrit kohën e arritjes në vendin e ngjarjes”, deklaron Gashi.
Ai pohon se koha mesatare e arritjes në vendin e ngjarjes, është shkurtuar nga 13 minuta në 7.3.
“Synimi jonë është që këtë vit ta arrijmë 5 minutëshin sepse po mundohemi me hy në atë kohën e artë të intervenimit”, shprehet Gashi.
Por deri te arritja në vendin e ngjarjes për të intervenuar te pacienti, rruga nuk është shumë e qartë për mjekët dhe infermierët. Kjo sepse ata nuk kanë sistemin GPS dhe orientohen nëpërmjet objekteve apo shenjave të përgjithshme.
Në momentin që thirrë pala, ekipi i Urgjencës orientohet nëpërmjet rrugëve, ndonjë objekti, restoranti, shkolle apo diçka tjetër, shkruan Gazeta Shneta.
“Intervenimi bëhet nëpërmjet njohurive të rrugës, shumica e infermierëve kanë përvojë të gjatë në terren dhe i kanë mësuar adresat e numrat. Por sigurisht, ishim kanë shumë më të kënaqur sikur të funksiononte teknologjia. Para një viti e kemi filluar një projekt me Suedinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë me vendosjen e GPS-it dhe komunikimit elektronik. Pati funksionuar për nja 3-4 muaj, por pas një defekti, i cili menaxhohej nga Suedia, tashmë është hequr nga përdorimi përkohësisht sepse rrjeti i dobët në Kosovë nuk e ka bërë të mundur rregullimin”, tregon Gashi.
“Në përgjithësi hasim në mirëkuptimin e qytetarëve dhe i gjejmë”.
Gjatë vitit të kaluar Urgjenca ka intervenuar në rreth 37 mijë shërbime, prej tyre 1100 aksidente trafiku, rreth 1300 fatkeqësi dhe raste të tjera.
Gashi deklaron se për të gjitha këto raste nuk ka staf të mjaftueshëm dhe për këtë alarmon.
“Një jo e madhe, sepse edhe shkenca e përcakton numrin e ekipeve në proporcion me numrin e banorëve. Në bazë të ligjit, qendër urgjente kanë qytetet që kanë mbi 150 mijë banorë. Por për 50 mijë banorë, në një qytet nevojitet minimum një ekip me tre persona, dy infermierë dhe një mjek”.
Ai tutje thotë se bazuar në analizat e demografëve, Prishtina i ka rreth 500 mijë banorë, pavarësisht se regjistrimi i fundit në Kosovë nuk e jep këtë shifër. Gashi tregon se shpesh duhet t’u dalin në ndihmë qyteteve tjera si Obiliqi apo Fushë Kosova, magjistrales për Ferizaj dhe një pjesë të Graqanicës.
“Prandaj ish dashtë me i pas 10 ekipe që me mujt me iu përgjigj të gjitha thirrjeve”, pohon Gashi.
Ai tutje shton se qytetarët e Prishtinës kanë mungesë informimi shëndetësor, pasi pacientët që munden me ecë në këmbët e veta, mund t’i vizitojnë qendrat e mjekësisë familjare.
“Kjo krijon probleme sepse pacientët që kanë nevojë për ndihmë urgjente, ne nuk mundemi t’i dalim zot sepse merremi me raste që s’janë në fakt urgjente”. /Gazeta Shneta/