Sipas statistikave të fundit, 1 në 5 çifte nuk mund të ketë fëmijë dhe për këtë arsye, autoritetet në shtetet e Italisë kanë ndërmarrë masa në lidhje me këtë çështje.
Shpesh, çiftet përballen me problemin e infertilitetit dhe shqetësohen për të, në momentin që vendosin të bëjnë fëmijë. Në fakt, specialistët e shëndetit këshillojnë që të mendoni për të ruajtur pjellorinë që më herët, që nga mënyra e jetesës, ushqyerja, kontrollet mjekësore e shumë zakone të tjera të jetës së përditshme. Sipas tyre, pjelloria duhet të konsiderohet si një e mirë e përbashkët për gjithë shoqërinë.
Ministri italian i Shëndetësisë në bashkëpunim me ministrin e Arsimit paraqitën një plan mbi mënyrën sesi informacioni për këtë pjesë duhet të fillojë që në shkollë e qytetarët të jenë në dijeni të problemit dhe mënyrave për ta parandaluar. Nëse kjo situatë vazhdon, në vitet e ardhshme Italia do të jetë vend ku do të mbizotërojë popullsia e plakur.
Përveç faktorit socio-ekonomik, që çon në shtyrjen në moshë të vonë të prindërimit, faktorë ndikues janë edhe sëmundjet të cilat nuk trajtohen për një kohë të gjatë./pernenat.al/